Popullsia e Shqipërisë tkurret në 2.79 milionë banorë në 2021

Plakja e popullsisë, ritmet e larta të emigracionit dhe pasojat e Covid-19 në shëndetin e popullatës kanë sjellë rënien e banorëve në vitin 2021.

INSTAT raportoi se popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2022 rezulton 2.793.592 banorë, duke pësuar një rënie me 1,3 %, krahasuar me 1 janar 2021. Ky është viti i pestë radhazi me tkurrje të numrit të banorëve.

Gjatë vitit 2021 shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) ishte -3.296 banorë, duke shënuar për herë të parë shtesë natyrore negative.

Gjatë vitit 2021 u konstatua dhe një rritje e ndjeshme e emigracionit, ndërsa numri i të kthyerve mbetet i ulët.

INSTAT raportoi se numri i imigrantëve në vitin 2021 ishte 9.195 persona dhe numri i emigrantëve ishte 42.048 persona. Numri i të larguarve, sipas grafikëve të INSTAT, ishyte më i larti që nga viti 2019 dhe nga 2014-a.

Migracioni neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve) pësoi një rritje në vlerë absolute, krahasuar me një vit më parë: nga -16.684 në -32.853 banorë në 2021.

Në rritje ishte dhe mosha mesatare e popullsisë.

Sipas INSTAT, Në 1 janar 2022 mosha medianë e popullsisë rezulton 38,2 vjeç nga 37,6 që ishte më 1 janar 2021.

Në 1 janar 2022 raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua krahasuar me 1 janar 2021: nga 24,2 % në 24,0 %, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit: nga 22,3 % në 23,1 % gjatë të njëjtës periudhë.

Raporti gjinor i popullsisë gjithsej më 1 janar 2022 ka pësuar rënie në krahasim me 1 janar 2021: nga 99,3 në 98,6 meshkuj për 100 femra.

Raporti gjinor në lindje u rrit, duke shënuar vlerën 107,5 në vitin 2021, nga 106,6 që ishte në vitin 2020.

Gjatë vitit 2021 lindën 27.284 foshnja, duke pësuar një rënie prej 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2021 ishte 30.580 persona, duke patur një rritje prej 10,8 %, krahasuar me një vit më parë. Vdekjet u rritën ndjeshëm për shkak të pasojave të shëndet të Covid-19 (shënim i Monitor).

Në vitin 2021 numri i emigrantëve ishte 42.048 persona dhe numri i imigrantëve ishte 9.195 persona.

Tirana, Durrësi dhe Fieri kanë peshën më të lartë në popullsinë gjithsej.

Më 1 janar 2022 Tirana zë rreth 32,9 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10,4 % dhe 10,0 % përkatësisht.

Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë respektivisht nga 2 % deri 5 % të popullsisë gjithsej.

Më 1 janar 2022 popullsia u rrit vetëm në një qark të vendit

Përllogaritjet e popullsisë më 1 janar 2022 tregojnë se vetëm një qark i vendit shënojë rritje të popullsisë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa njëmbëdhjetë qarqet e tjerë shënuan rënie të popullsisë. Rritja u shënua në Tiranë (+ 0,8 %).

Në të kundërt, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet: Gjirokastër (- 4,7 %), Berat (- 3,7 %) dhe Dibër (- 3,6 %).

Qarku me raportin e varësisë së të rinjve më të lartë është Kukësi (33,5 %), i cili po ashtu rezulton edhe si qarku me raportin e varësisë së të moshuarve më të lartë (26,2 %), ndjekur nga qarku i Lezhës me (26,1%)./Monitor

Shtuar 15.04.2022 13:42