Përfitoi 240 milionë lekë me kontrata false, sekuestrohet dyqani i ish-Drejtorit të postës në Korçë

Gjykata e Korçës ka vendosur sekuestrimin e një prone të ish drejtorit të postës në Korçë, Valter Gorës.

Gora i u arrestua para një muaji për shpërdorim detyre.

Vendimi për sekuestron preventive e ka marrë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë më datë 28.07.2021.

“Për vendosjen e sekuestros preventive ndaj një prone në qytetin e Pogradecit, konkretisht lokal shërbimi, në pronësi të shtetasit Valter Gora, i cili u arrestua në datë 14.07.2021, i akuzuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim”.

NJOFTIMI I PLOTË:

Sekuestro preventive mbi një pronë të ish-Drejtorit të Postës Korçë, i cili u arrestua një muaj më parë, në kuadër të operacionit policor “Kontrata”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të punës për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë datë 28.07.2021, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj një prone në qytetin e Pogradecit, konkretisht lokal shërbimi, në pronësi të shtetasit V. G., i cili u arrestua në datë 14.07.2021, në kuadër të operacionit policor “Kontrata”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet e kryera, dyshohet se të ardhurat e paligjshme të përfituara nga aktiviteti kriminal i shtetasit V. G., janë investuar në blerjen e këtij ambienti, i cili ishte në përdorim të filialit të Postës Shqiptare (i lëshuar me qira). Vijon puna për të verifikuar dhe evidentuar pasuritë e tjera, që mund të jenë në emër të 41-vjeçarit V. G. dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tij. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Valter Gora, ish-drejtor i Postës u arrestua më 15 korrik nga policia, pasi së bashku me kolgeët e tij kishin shpërdoruar detyrën. Operacioni ‘Kontrata’ zbuloi skemën e mashtrimit që ndodhte brenda postës. Të gjithë punonjësit, shpërdorun detyrën duke falsifikuar kontrata qiramarrjeje për ambiente që do të përdoreshin nga Posta Shqiptare në filialet Korçë, Maliq, Pogradec.

 


Shtuar 7.08.2021 11:42