Përfitimet që vitamina D i sjell organizmit

Mjaftueshmëria e vitaminës D ka të bëjë me të gjitha grupmoshat dhe mund të parandalojë shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme.

Vlera e vitaminës D është dokumentuar plotësisht në lidhje me veprimin e saj në kocka.

Në të njëjtën kohë, provat e reja vazhdojnë të tregojnë se vitamina D luan një rol të rëndësishëm në shëndetin e përgjithshëm, pasi ndihmon në reduktimin e inflamacionit, rregullimin dhe forcimin e sistemit imunitar, zhvillimin e qelizave dhe kontrollin e sheqerit në gjak.

Është karakteristikë se mungesa e vitaminës D është shoqëruar me shumë sëmundje kardiovaskulare dhe metabolike, si hipertensioni, diabeti mellitus, ataku në zemër dhe goditjet në tru.

Nivelet e ulëta të vitaminës D të kombinuara me konsumin e ulët të produkteve të qumështit krijojnë një problem të theksuar të osteopenisë – osteoporozës në popullatë. Kjo është arsyeja pse një dozë ditore e vitaminës D prej të paktën 700 njësi (IU) është e nevojshme për të arritur dhe ruajtur një shëndet të mirë të përgjithshëm.

Megjithëse “kufiri i poshtëm i mjaftueshmërisë” së vitaminës D nga organizatat ndërkombëtare nuk është fiks dhe varion nga 20ng/ml deri në 30ng/ml, është vërtetuar se mjaftueshmëria e saj shoqërohet si me zvogëlimin e gjasave për rënie ashtu edhe me një rrezik të reduktuar të frakturave osteoporotike.

Vitamina D ndihmon në absorbimin e kalciumit dhe pengon mekanizmat që çojnë në humbjen e kockave dhe rrjedhimisht osteoporozën dhe frakturat. Por zbulimi i receptorit të vitaminës nëpërmjet të cilit ajo ushtron veprimin e saj, përveç kockave, edhe në organe të ndryshme, si pankreasi, zorrët, muskujt, sistemi nervor, zbuloi veprime të panjohura në shumë funksione të trupit, duke treguar se vepron pozitivisht në sistemin imunitar, kardiovaskular dhe nervor.

Për pacientët me sëmundje reumatizmale, si artriti reumatoid, lupus eritematoz sistemik, etj., ata kanë nivele të ulëta të vitaminës D dhe bëjnë pjesë në grupet me rrezik të lartë për zhvillimin e osteoporozës dhe frakturave, kryesisht për shkak të inflamacionit kronik dhe kortizonit.

Sidomos te pacientët që trajtohen për osteoporozën me preparate të ndryshme, bashkëadministrimi i kalciumit dhe vitaminës D është thelbësor për suksesin e trajtimit.

Fatkeqësisht, shumica e pacientëve, pothuajse 50%, nënvlerësojnë rëndësinë e bashkëadministrimit dhe neglizhojnë marrjen e njëkohshme të kalciumit dhe vitaminës D.


Shtuar 19.03.2023 16:10