Përfaqësuesit e bizneseve të Vlorës kërkojnë zgjatjen e orarit për muzikën, takim me shefin e Komisariatit

Përfaqësuesit e bizneseve në qytetin e Vlorës kanë dalë të protestojnë përpara komisariatit të policisë për orarin e lejuar për muzikën. Më pas, ata janë futur brenda dhe kanë zhvilluar një takim me shefin e komisariatit.

Një prej tyre, Ervin Sota shprehet për mediat se kërkojnë që orari i lejuar për muzikën të jetë deri në orën 24:00 dhe që mbyllja e restoranteve të bëhet në orën 02:00. Pas takimit, Sota tha se kanë rënë dakord që do të ketë një moderim të rregullave, por pa dhënë më tepër detaje.

“U diskutua për moderimin e muzikës. Kërkojmë që të shtyhet në orën 12 të natës muzika dhe shtyrja e orës së punës deri në 2 të mëngjesit, akoma nuk kemi marrë një përgjigje. Na kanë dhëna shpresa se shumë shpejt do të ndodhë. Ne e ndjejmë shumë të nevojshme sidomos këtë periudhë plot me turista. Duke parë që vendet e rajonit, Mali Zi, Kosova, Greqia, Turqia, ne kërkojmë që të mos na ikë ky fluks turistësh. Mos të detyrohemi t;i bëjmë ftesën turistëve mos ejani në Vlorë por shkoni në Prishtinë, sepse atje i keni të gjitha kushteve. Sot jemi thirrur nga shefi i Komisariatit për të diskutuar këtë çështje. Ramë dakord që të gjithë se nuk jemi për zhurmë por për të bërë biznes. Nuk ka vetëm turistë për restorante apo për të shijuar valët e detit siç tha Kryeministri. Ne jemi gati edhe për të vënë një sfond me valët e detit por vetëm të lejohemi të punojmë. Në orën 12 për ne është kafsha e orarit,” tha ai.


Shtuar 31.07.2021 20:39