Pëllumb Pipero “zbërthen” Omicronin dhe tregon se kë “fal” varianti i ri Covid

Mjeku Pëllumb Pipero është shprehur se personat që e kanë kaluar virusin para 3-4 muajsh apo janë vaksinuar, e kanë të vështirë të riinfektohet me variantin Omicron.

Arsyeja sipas tij është se vaksina ose imuniteti natyral e detektojnë shpejt virusin dhe nuk lënë të hynë në qelizë.

Gjithashtu ai ka bërë edhe një krahasim të variantit Delta me Omicron, ku ka shtuar se ky i fundit është shumë më i transmetueshëm.

Komentet ai i bëri në emisionin “Open”, ku tregoi një bisedë që ka bërë me imunologun Genc Sulçebe në lidhje me variantin Omicron që ka shkaktuar shqetësim në të gjithë botën.

“Ne nuk mund të themi që brenda një grupi, njëri është më shumë pak më pak agresiv. Klinikisht Omicroni paraqitet më i lehtë. Se si do të vijojë do ia lëmë kohës. Studimet e deritanishme janë kontradiktore, praktikisht, studimet janë konfuzione mbi evidenca sesa studime të mirëfillta.

Një gjë është e sigurt, së pari, transmetueshmëria e Omicronit është shumë herë më e madhe se e Deltës. Ky virus i shmanget dukshëm mburojës imunitare edhe asaj natyrales dhe vaksinës. Për këtë arsye ka diskutim të shkencëtarëve sot në botë. Prandaj themi që një person që e ka kaluar virusin para 3-4 muajsh apo ka bërë vaksinën para 3-4 muajsh e ka më të vështirë të infektohet sepse e detektojnë shpejt virusin dhe nuk e lënë të hynë në qelizë. Këtë kemi bërë bisedë me mjekun para disa ditësh në oborrin e spitalit”, është shprehur Pipero./albeu.com/


Shtuar 28.12.2021 09:57