Peleshi: Zjarri në Malin e Rrajcës nën kontroll, vatrat në Shebenik-Jabllanicë mund t’i favorizojë era

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka informuar mbi situatën e zjarreve në vend. Përmes një postimi në “Facebook”, Peleshi shkruan se zjarri në Malin e Rrajcës nën kontroll, vatrat në Shebenik-Jabllanicë mund t’i favorizjë era.

“Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit lokalë kanë vënë nën kontroll zjarrin në Malin e Rrjacës në Prrenjas, por puna vijon pasi era mund ta favorizojë duke rrezikuar Parkun Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës në kufi me Maqedoninë e Veriut, ku edhe fqinjët tanë po punojnë në pjesën e tyre”, shkruan Peleshi.

Sa i përket situatës së zjarreve në veri të vendit, ministri thotë se, mbi 100 forca po luftojnë me flakët në 2 vatra të ndryshme në fshatrat Thirrë dhe Katund i Vjetër në Mirditë, ku tymi i dendur ka vështirësuar ndërhyrjen nga ajri dhe era favorizon flakët.

Në malin e Tërbunit në Pukë dhe fshatin Dardhë në Fushë-Arrëz era dhe terreni po favorizojnë përhapjen e zjarrit, ndërkohë që në këto 2 vatra po punojnë aktualisht në terren rreth 200 forca.

Vatrat e tjera në vend nuk paraqesin rrezik të lartë dhe vijon puna e autoriteteve lokale për shuarjen e tyre./albeu.com


Shtuar 18.08.2021 13:03