PD mbledh sot Kuvendin Kombëtar, çfarë pritet të ndodhë

Ditën e sotme në Pallatin e Kongreseve, Partia Demokratike do të mbledhë Kuvendin Kombëtar.

Hapja e Kuvendit do të bëhet në orën 11:00, dhe i pari që do të mbajë fjalën do të jetë kryetari Lulzim Basha.

Më pas, do të jenë 19 drejtuesit politikë të PD që do të mbajnë fjalimet para anëtarëve të Kuvendit, që do të jenë kryesisht të fokusuara te 25 prilli, tek ajo që PD e ka cilësuar si masakra zgjedhore.

Analiza e bërë për zgjedhjet e 25 prillit nuk do të jetë vetëm kryefjalë e fjalimeve politike, por raporti përmbledhës i saj me 13 përfundime, që kryesia kaloi dy ditë më parë, do t’i paraqitet për votim Kuvendit.

Po ashtu, është parashikuar që të vlerësohet mundësia për ndryshime në statutin e PD-së. Bëhet fjalë për propozimet e kreut të PD.

Për më shumë se 4 orë, mbi 5000 delegatë të Kuvendit Kombëtar do të votojnë për anëtarët e rinj të Këshillit, organi që ka të drejtën të zgjedhë edhe lidershipin e ri në krye të Partisë Demokratike.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar nuk do të shënojë fundit e zhvillimeve të verës në PD, pasi brenda këtij muaji  Basha pritet të riformatojë edhe ekipin drejtues./albeu.com