Ditën e sotme 28 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e Bordeve të caktimit të çmimeve.
Kjo pasi sipas PD-së, bordet ndërmarrin veprime abuzive lidhur me çmimet, ku në rastin konkret atë të karburanteve.
Deputetja Dhurata Çupi, u shpreh se Bordi i ngritur për të mbajtur në kontroll çmimin, është shndërruar në Klubin e Oligarkëve, ku vetë oligarkët e naftës në përbërje të Bordit caktonin edhe çmimin.
Deklarata e Çupit:
Sot në emër të interesit të qytetarëve, në emër të interesit publik, 28 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e Bordeve të caktimit të çmimeve.
Është fakt tashmë që prej muajsh qytetarët shqiptarë janë përballur me abuzimet me çmimet. Shqipëria është një nga 10 vendet në botë me çmimin më të lartë të naftës, gazit dhe benzinës. Edhe pse më të varfërit në Europë e Rajon, shqiptarët janë përballur me çmimet abuzive të naftës, gazit dhe benzinës.
Është fakt që Bordi i ngritur për të mbajtur në kontroll çmimin, u shndërrua shumë shpejt në Klubin e Oligarkëve, ku vetë oligarkët e naftës në përbërje të Bordit caktonin edhe çmimin.
Është fakt që Bordi me veprimtarinë e tij po cënon konkurencën në treg, që sjell ulje të cmimit, si dhe lirinë ekonomike, që mbron të drejtat e konsumatorëve.
Me miratimin e këtyre dy ligjeve Qeveria në vend që të bënte atë që ka bërë cdo Qeveri në botë, të mbronte interesin e qytetarëve, të drejtat e konsumatorëve, në fakt zyrtarizoi Klubin e Oligarëve dhe i dha liri të plotë që me marrëveshje me njëri tjetrin të caktojnë çmimin e naftës, gazit dhe benzinës. Cdo qytetarë ka parë sesi tallet vazhdimisht Klubi i Oligarkëve, që sa herë qytetarët reagojnë e ul çmimin me 2 lekë, dhe të nesërmen e rrit me 12 lekë.
Ngritja e Bordit po dëmton interesin e qytetarëve. Ligjet bien ndesh me Kushtetutën, cënojnë lirinë ekonomike, cënojnë konkurencën në treg, thellojnë më shumë varfërinë tek qytetarët, vjedhin edhe më shumë qytetarët.
Për këtë arsye, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon Gjykatës Kushtetutese shfuqizimin e këtyre ligjeve, mbrojtjen e interesit publik, mbrojtjen e interesit të qytetarëve. Ne kemi besim që Gjykata Kushtetutese do ti nënshtrohet vetëm Kushtetutës, dhe nuk do të jetë nën ndikimin e Klubit të Oligarkëve, apo Qeverisë që prej kohësh nuk i shërben qytetarëve, por interesit të një grushti oligarkësh.
Dua të konfirmoj se ne do të jemi krah qytetarëve, në mbrojtje të interesit të tyre. Ulja e çmimit të naftës, benzinës dhe gazit është interes i qytetarëve dhe Qeveria nuk duhet të mbyll sytë përpara abuzimeve. Por për fat të keq, sot shqiptarët qeverisen nga një Kryeministër, që shqetësim të fundit ka hallet e qytetarëve. Prej 9 vitesh tashmë Edi Rama ka provuar katërciprisht që interesi i vetëm i tij është ti shërbëjë një grupi njerëzish, në kurriz të 3 milion shqiptarëve.
Ju faleminderit!/albeu.com/