Partizani bën “vetëvrasje”, Vllaznia triumfon mes tensionit (VIDEO)

Është mbyllur me triumfin 0-1 të  shkodranëve, supersfida e luajtur në “Air Albania” mes Partizanit dhe Vllaznisë. Vendosi goli i realizuar me 11-metërsh nga Herald Marku në minutën e 74-t.

Ndeshja nisi shumë e kujdesshme dhe skuadrat ishin të vendosura mirë, me sulmuesit, që me cilësitë e tyre individuale, pa shumë mbështetje u munduan të krijojnë raste, por pa pasur raste flagrante.

Në pjesën e dytë ekuilibrat u prishën dhe Vllaznia fillimisht nisi më vrullshëm dhe fitoi terren. Më pas Partizani u kthye dhe krijoi dy raste me Muratajn dhe Idrizajn nga jashtë zone. Edhe Vllaznia kishte raste, me portierin Hoxha, që u përgjigj mirë.

Në minutën e 73-të ndodhi episodi që vendosi gjithçka. Një prekje e dyshimtë me dorë në zonë, pretendime të forta të shkodranëve dhe shqyrtim prej rreth 2 minutash nga ana e gjyqtarit. Në fund u akordua penallti. Marku e mori përsipër dhe goditi fort, duke shënuar.

Ndërkohë, ndeshja tjetër mes Laçit dhe Teutës ishte më e ekuilibruar, e ndikuar edhe nga karakteristikat e skuadrave në fushë. Kishte shumë kujdes nga Teuta, që u përpoq të ndëshkonte me goditje standarde. Laçi nga ana tjetër tentoi të përfitojë me shpejtësinë e lojtarëve të sulmit dhe klasin e Mazrekajt, por nuk kishte gol në asnjërën anë.

Me këto rezultate, titulli mbetet ende shumë i hapur. Teuta renditet e para, me pikë të barabarta me Vllazninë (63). I vetmi avantazh i Teutës është 1 gol më shumë në diferencën e rrjetave të shënuara dhe të pësuara. Pas tyre vjen Partizani me 62 pikë dhe Laçi 61 pikë.

Teuta luan me Apoloninë në ndeshjen e fundit, Partizani sfidon Bylisin, ndërsa Laçi e Vllaznia ndeshen së bashku. Në letër Teuta është skuadra më e avantazhuar, pasi ka kundërshtar të lehtë në letër, ndryshe nga Vllaznia. Gjithsesi, gjithçka do jetë e hapur.


Shtuar 21.05.2021 19:31