Para pesë muajsh, Belinda premtoi arritjen në Korcë për 1.5 orë, por tani nuk shkon dot fare!

Nga premtimi për Tiranë–Korçë në 90 minuta, e bërë para 5 muajsh nga zv.kryeministrja Belinda Balliuku, në inaugurimin e rrugës Qukës–Qafë Plloçë, Shqipëria ka përfunduar në një realitet ku segmenti përmes Librazhdit mbyllet, shembet dhe devijohet si një zonë fatkeqësie natyrore. Aksi që duhej të ishte simbol i modernizimit është sot monument i keqmenaxhimit dhe dështimit të investimeve publike në infrastrukturë.

Nën drejtimin e Ministres së Infrastrukturës dhe aktualisht zv. kryeministres Belinda Balluku, projektet më të mëdha rrugore të vendit janë shoqëruar me të njëjtin model:
vonesa, shtesa fondesh, probleme teknike, hetime, propagandë dhe në fund disa riparime sipërfaqësore.

Në vend të një korridori strategjik lindje-perëndim, kemi një aks që përdoret me frikë nga qytetarët dhe bizneset. Transporti i rëndë detyrohet të zgjedhë itinerare absurde rajonale, duke u nisur nga Korca dhe kaluar nga Qafë Thanë – Shkup – Prishtinë – Kukës – Tiranë. Një udhëtim që dikur zgjaste 3 orë, sot kalon 10–12 orë.

Ironia arrin kulmin me devijimet për transportin e rëndë. Kamionët që dikur përshkonin Tiranë–Korçë brenda pak orësh, sot detyrohen të ndjekin itinerare absurde rajonale që kalojnë përmes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për të shmangur segmentet problematike në Librazhd. Një udhëtim që dikur zgjaste 3 orë, sot kalon 10–12 orë. Kosto shtesë karburanti, orë pune të humbura, rritje çmimesh për konsumatorin.

Investimet në infrastrukturë sot janë kthyer në simbol të një shteti që shembet bashkë me rrugët që ndërton. Segmenti përmes Librazhdit është kthyer në kantier të përhershëm, me devijime të rrezikshme, shembje dherash dhe mbyllje të papritura. Propaganda e inaugurimeve ka zëvendësuar standardin e sigurisë.

Në diskursin zyrtar, Shqipëria po përjeton “epokën e artë të infrastrukturës”. Në terren, qytetarët përballen me rrugë të shembura, devijime të pasigurta dhe projekte që rihapen për riparime para se të amortizohen nga koha.

Nëse një rrugë shembet para se të përfundojë, kemi problem me projektimin. Nëse fondet shtohen disa herë, kemi problem me planifikimin. Nëse hetimet përsëriten, kemi problem me integritetin institucional. Por nëse të gjitha ndodhin njëkohësisht, kemi problem me qeverisjen.

Një zv.kryeministre nuk mund të fshihet pas justifikimeve teknike. Kur projektet madhore dështojnë, përgjegjësia është politike. Shqipëria nuk ka luksin të shpenzojë qindra miliona euro në infrastrukturë që shembet para se të përfundoj.


Shtuar 25.02.2026 12:41