Papa Françesku thirrje Europës: Humanizëm ndaj emigrantëve, mos i shikoni si numra

Papa Françesku ndodhet në një vizitë dyditore në qytetin port të Marsejës në jug të Francës. Arsyeja e udhëtimit të tij është ceremonia përfundimtare e “Takimit Mesdhetar” (Rencontres Mediterraneennes), një takim rinor me pjesëmarrës nga 29 vende të rajonit të Mesdheut, gjatë së cilës Papa do të mbajë sot (23.09) edhe një fjalim. Gjatë qëndrimit të Papa Françeskut në Francë në fokus do të jetë tema e migracionit. Vizita e tij nuk është vizitë shtetërore zyrtare.

Gjatë një shërbese përkujtimore për refugjatët që u mbytën në Mesdhe të premten në mbrëmje, Papa Françesku tha se shpëtimi i njerëzve në det duhet të vazhdojë. “Kjo është një detyrë njerëzore”, theksoi ai. “Le të mos mësohemi t’i shohim aksidentet me anije si lajme dhe të vdekurit në det si numra: ata kanë emra dhe mbiemra, fytyra dhe histori,” theksoi Papa në një vend përkujtimor pranë kishës së Notre-Dame de la Garde, prej nga pjesëmarrësit mund të shihnin detin. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë përfaqësues të disa bashkësive fetare.

Sipas burimeve franceze migrimi do të jetë gjithashtu një temë e rëndësishme në takimin e Papës me presidentin francez Emmanuel Macron. 60 mijë besimtarë priten në një meshë në stadiumin Vélodrome. Është hera e parë që një papë viziton Marsejën, që nga shekulli i 16-të. Benedikti XVI kishte vizituar Parisin dhe Lurdin në vitin 2008. Kurse Papa Françesku ishte në Parlamentin e BE-së në Strasburg në vitin 2014. /DW


Shtuar 23.09.2023 13:02