Panik në ajër, motori i avionit merr flakë, tmerrohen pasagjerët: Menduam se do vdisnim (VIDEO)

Momente paniku në ajër kur motori i një avioni shpërtheu në flakë ditën e diel pasi goditi një zog teksa ishte duke fluturuar mbi Brazil.

Mediat e huaja njoftojnë se, avioni i LATAM Airlines, me bazë në Kili, ishte nisur nga Salvador për një fluturim tre-orësh drejt Sao Paulo, kur një zog goditi papritur krahun e djathtë të avionit.

Një video nga brenda avionit tregon shkëndijat që dalin nga motori, ndërsa piloti u detyrua të bëjë ulje emergjente në aeroportin ndërkombëtar Salvador-Deputado Luís Eduardo Magalhaes.

“Ishte moment terrori. Kishim shumë frikë, por falë Zotit gjithçka shkoi mirë. Motori shpërtheu në flakë disa minuta pas ngritjes. Na kapi paniku, menduam se do të vdisnim”, tha një nga pasagjerët.

Kompania tha në një deklaratë se po merren masat në mënyrë që të sigurohet një udhëtim i sigurt për të gjithë./albeu.com


Shtuar 15.11.2023 11:43