Mabco, kompania e Behgjet Pacollit, ka ngritur në Gjykatën e Arbitrazhit pretendimin se qeveria shqiptare po synon t’i marrë aeroportin e Vlorës për t’ia kaluar biznesmenit izraelit Ron Yeffet.
Ky pretendim është bërë pjesë e padisë së depozituar nga Mabco në Gjykatën e Arbitrazhit në Londër, ku kompania kërkon vendosjen e një mase sigurie kundër prishjes së kontratës nga autoritetet shqiptare.
Të lidhura
None found
Nuk është e qartë se mbi çfarë provash mbështetet akuza e kompanisë së Pacollit. Megjithatë, përmbajtja e dokumentit është konfirmuar nga dy burime konfidenciale brenda Avokatit të Shtetit dhe Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët deklaruan se e kanë lexuar atë.
Sipas të njëjtave burime, përfaqësuesit ligjorë të Pacollit i kanë paraqitur Gjykatës argumentin se Ron Yeffet është një biznesmen me lidhje të afërta me qeverinë shqiptare.
Për përballjen ligjore me qeverinë, Mabco ka angazhuar studion e njohur amerikane Patton Boggs. Avokatët e saj mbërritën pak ditë më parë në Tiranë dhe morën pjesë në një takim të përbashkët mes Mabcos, VIA-s, 2A Group dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
Takimi përbënte përpjekjen e parë për arritjen e një pajtimi mes palëve, pas njoftimit të qeverisë për nisjen e procedurës së prishjes së koncesionit.
Deri tani, Mabco, VIA dhe 2A Group nuk kanë nisur një arbitrazh në themel kundër Shqipërisë për të kërkuar kompensim. VIA dhe Mabco kanë hapur vetëm një proces në Londër, përmes të cilit kërkojnë një masë sigurie që do ta detyronte qeverinë të ndërpresë procesin për prishjen e kontratës koncesionare.
