“Operacioni tokësor është faza e dytë e luftës”, Netanyahu: Forcat izraelite kanë hyrë në “kështjellën e së keqes”

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka folur për gazetarët pas takimit me përfaqësuesit e familjeve të atyre që mbahen peng nga Hamasi në Gaza.

Netanyahu thotë se operacioni i vazhdueshëm tokësor në Gaza është faza e dytë e luftës me Hamasin, me “objektiva shumë të qarta”.

Ai shtoi se forca shtesë tokësore izraelite kanë hyrë në atë që ai e quajti “kështjella e së keqes”, duke iu referuar Gazës, për të “çmontuar” Hamasin dhe për të sjellë pengjet në shtëpi.

Kryeministri bëri me dije se ushtarët dhe komandantët izraelitë “janë tani në Rripin e Gazës, ata janë të dislokuar kudo”.

Më herët gjatë ditës së sotme, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, akuzoi Izraelin për krime lufte.

Kryeministri izraelit nuk e përmend emrin e tij, por thotë: “Mos na akuzoni për krime lufte. Nëse mendoni se mund t’i akuzoni ushtarët tanë për krime lufte, kjo është hipokrizi. Ne jemi ushtria më morale në botë.”

Ai thotë se IDF po merr masa paraprake për të mbrojtur civilët dhe akuzon Hamasin për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit duke “përdorur njerëzit e tyre si mburoja njerëzore”.

Ministria e shëndetësisë në Gaza, e cila drejtohet nga Hamasi, thotë se më shumë se 7600 njerëz janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi bombardimin e territorit. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të premten se 40% e të vdekurve ishin fëmijë.

Hamasi vrau më shumë se 1400 njerëz në Izrael në sulmet e 7 tetorit. Shumica e tyre ishin civilë, duke përfshirë gra dhe fëmijë.


Shtuar 28.10.2023 20:33