Të paktën 10 persona humbën jetën, dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur dhe dëme të mëdha materiale, si edhe zjarre, u regjistruan në orët e para të mëngjesit pasi kryeqyteti i Ukrainës u godit nga një valë raketash dhe dronësh rusë. Sulmi ndodhi pasi Presidenti Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar se po përgatitej një goditje “në shkallë të gjerë”.
Një ditë më parë, Zelensky deklaroi nga Dublini, ku ndodhej për vizitë, se do të kthehej me urgjencë në Kiev, pasi kishte marrë informacione për përgatitjet e një sulmi të ri rus.
Të lidhura
None found
“Ne e dimë që Putin ka kohë që po përgatit këtë goditje masive kundër Ukrainës”, tha ai gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin irlandez, duke u bërë thirrje ukrainasve të “dyfishojnë” vigjilencën dhe të “mbrojnë veten”.
Komandanti ushtarak i rajonit të Kievit, Mykola Kalashnik, njoftoi në Telegram se “Gjatë natës, armiku nisi një sulm të ri masiv në rajonin e Kievit duke përdorur dronë sulmi, raketa balistike dhe raketa lundrimi”, ndërsa shtoi se pesë sektorë në rajon ishin goditur.
Gazetarët e AFP thanë se për disa orë me radhë kishin dëgjuar shpërthime të njëpasnjëshme.
Në qendër të kryeqytetit, një shpërthim çoi në ngritjen e tymit, ndërsa ndërtesa po përfshiheshin nga flakët, raportoi një gazetar nga vendi i ngjarjes. Zjarrfikësit dhe ambulancat mbërritën menjëherë, ndërsa rreth pesëmbëdhjetë minuta pas shpërthimit të parë u dëgjua edhe një i dytë, që shpërndau gërmadha në të gjitha anët.
Nëpër rrugë, banorët po drejtoheshin drejt strehimoreve dhe disa prej tyre mbanin me vete dyshekë.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se një shpërthim kishte dëmtuar një ndërtesë në qendër të qytetit, ku ndodhet një strukturë ambulancash.
“Pesë paramedikë u plagosën në lagjen Shevchenkivskyi, njëri prej të cilëve, një anëtar i një ekuipazhi ambulance, është në gjendje kritike”, tha ai.
“Çatia e një ndërtese shumëkatëshe është në flakë në një lagje tjetër, ndërsa njerëzit mbetën të bllokuar kur një ndërtesë apartamentesh nëntëkatëshe u shemb”, shtoi Klitschko.
