Një të shtënë me armë tronditi mbrëmjen e 28 qershorit një objekt në qendër të Ferizajt.
Për vrasjen e dyshuar të F.H., 32 vjeçar, autoritetet po e hetojnë një 24-vjeçare me inicialet A.R.
Të lidhura
None found
Ndaj saj është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nën dyshimin për veprën penale “Vrasje”.
Në deklarimin e saj në stacionin policor, A.R. ka thënë se viktima e kishte kërcënuar dhe shantazhuar vazhdimisht.
Avokati i saj mbrojtës, Genc Kadriu, tregoi se çfarë ka rrëfyer 24-vjeçarja para hetuesve në natën kur ndodhi ngjarja.
“Ka qenë duke përgatitur një darkë për familjen e saj, ndërkohë e ka pranuar një mesazh nga tani i ndjeri të cilin e ka njohur tash e një vit. E ka pranuar një mesazh në të cilën ai ka shënuar ‘më prit se tani do të vi në banesën tënde dhe do të vras’. Këtë mesazh ia ka bashkangjitur edhe një foto të armës së zjarrit. Mesazhe, foto, të dërguara në rrjetin social Snapchat”, ka thënë Kadriu.
Mbrojtësi i saj tha më tej se, sapo ajo kishte hapur derën e banesës, F.H. dyshohet se kishte ushtruar dhunë ndaj saj, duke e kapur për flokësh dhe duke e shtyrë drejt kuzhinës.
“Në pjesën e tavolinës kanë qenë disa shishe të qelqit, ku gjatë përleshjes e mbrojtura ime me qëllim që të zmbraps sulmin edhe siç thotë ajo me frikësu tani të ndjerin që mos me vazhdu sulmin ndaj saj, e then shishen e xhamit edhe i kërkon që mos me iu afru. Ajo thotë se në ato moment i ndjeri ia kapë shishen e xhamit nga dora dhe e godet të njëjtën e që i shkakton lëndime trupore: qarje, prerjeje, grithje në pjesët e ndryshme të trupit”, ka deklaruar Kadriu.
Sipas avokatit, viktima e kishte mbajtur A.R. nën ndjenjë të vazhdueshme frike dhe kërcënimi.
Kadriu tha se pikërisht kjo gjendje kishte bërë që ajo të mos e denonconte asnjëherë rastin në Polici.
“E njëjta ka deklaruar që për shkak të kërcënimeve të tij që në rast se e lajmëron rastin në Polici, unë shpejtë do të lirohem se kam pasur edhe raste të tjera që janë liruar, pastaj do të vras ty edhe motrat tua. Kjo sipas të mbrojturës sime ka krijuar një frikë të atillë që pastaj e njëjta ka hezituar që kërcënimet, shantazhin, detyrimet që e njëjta t’i sjellë shuma të ndryshme të parave, me qëllim që i njëjti mos t’ia publikoj videot intime pasi që ai e ka shantazhuar me disa video intime që i ka pasur me të mbrojturën time”, ka theksuar Kadriu.
Sipas tij, 24-vjeçarja që jeton në Francë nuk kishte ardhur në Kosovë për pushime, por për shkak të presionit dhe kërcënimeve që, sipas mbrojtjes, i bëheshin nga viktima.
“E njëjta ka ardhur këtu për shkak të kërcënimeve të tij, për shkak të shantazhit të tij, ka ardhur që t’ia ofrojë një shumë tjetër parash, pasi i njëjti e ka kërcënuar se nëse nuk vjen me mi sjellë këto para atëherë unë do t’i publikoj videot”, u shpreh Kadriu.
Avokati tha gjithashtu se gjendja emocionale e 24-vjeçares është mjaft e rënduar.
“Është në një gjendje mjaft të rënduar emocionale, pasi që dashja e saj nuk ka qenë për ta privuar nga jeta tashmë të ndjerin. Mirëpo sipas saj gjithçka ka ndodhur në çast…Ajo ka shprehur dëshirë që në seancën dëgjimore të mos deklarohet përveç asaj që ka deklaruar në polici”, ka përfunduar Kadriu.
Sipas të dhënave që dihen deri më tani, në vendin e ngjarjes dyshohet se kanë qenë edhe nëna dhe babai i të dyshuarës.
