“Nxitje të krizës ushqimore”, Kievi akuzon Moskën

Ukraina akuzon Rusinë se po përpiqet të shkaktojë krizë ushqimore botërore, duke bllokuar eksportet e produkteve nga ky vend.

Zëdhënësi i administratës rajonale ushtarake të Odesës Serhi Bratçuk thotë se ushtria ruse ka vendosur përreth portit të qytetit të madh jugor ukrainas, 400 deri 500 mina detare për të penguar eksportin e ushqimeve, e për të fajësuar për këtë Ukrainën.

Ky vend është ndër eksportuesit kryesorë të ushqimeve në botë dhe furnizuesi më i rëndësishëm për tregun europian.

Zyrtarët ukrainas thonë se në portet e Detit të Zi qëndrojnë të bllokuar 20 milionë tonë drithëra, pasi rusët që kanë marrë kontrollin nuk lejojnë eksportin e tyre. Kombet e Bashkuara thonë se disa vende mund të përballen me krizë urie afatgjatë, nëse eksportet nga Ukraina nuk rikthehen në nivelet e para-luftës.

Presidenti rus Vladimir Putin kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë për t’i hapur rrugë eksportit të drithërave. Megjithatë, mediat thonë se deklarata e tij ishte e paqartë, nëse i referohej eksportit të grurit nga Rusia, një tjetër eksportues i madh botëror, apo nga Ukraina.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes postoi po ashtu një video, që dëshmon se Rusia po përdor bomba me fuqi të lartë shkatërruese.


Shtuar 27.05.2022 17:25