Nuk po gjen dot rrugën e rrjetës, tifozët Bolivar kërkojnë largimin e Sadikut

Në 9 ndeshjet e fundit është aktivizuar 5 herë si titullar dhe 3 herë ka hyrë në fushë nga stoli, por edhe pse ka marë shumë minuta në këmbë Armando Sadiku ende nuk po arrin të zhbllokohet me fanellën e klubit të tij të ri Bolivar në Amerikën e Jugut. Goli po vonon shumë ashtu si edhe përshtatja e Sadikut në kampionatin bolivian, aq sa kanë mjaftuar vetëm pak ndeshje që tifozët e Bolivar të kërkojnë largimin e sulmuesit shqiptar nga skuadra e tyre.

Në sfidën e fundit të Copa Sudamericana, kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në nivel klubesh në Amerikën e Jugut, Sadiku u ndal te shtylla me Bolivar që nuk mori më shumë një barazim pa gola në sfidën ndaj brazilianëve të Ceara duke mos shfrytëzuar dot as faktorin fushë dhe faktin që ndeshja luhej në një lartësi më të madhe se 3000 metra mbi nivelin e detit. Pikërisht lartësia mund të jetë edhe faktori kryesor që 29-vjeçari nga Elbasani nuk po shfaq dot formën e tij më të mirë në Bolivi.

Në sfidën ndaj Wilsterman po në Copa Sudamericana një javë më parë Sadiku shpërdoroi një 11-metërsh ndeshje në të cilën u aktivizua për 70 minuta ndërkohë që në duelin ndaj Ceara edhe pse qëndroi në fushë gjatë gjithë takimit, goditi vetëm një shtyllë në minutat e para të ndeshjes dhe më pas mbeti në hije.

Bolivar në fund u ndal në një barazim pa gola dhe fakti që skuadra nuk po regjistron rezultatet e pritshme gjatë kësaj periudhe sipas tifozëve të Bolivar ka faj edhe Sadiku. Sipas fansave, një nga problemet kryesore është sulmuesi, i cili nuk është i përshtatshëm për lojën e ekipit. Rrjetet sociale janë mbushur me kërkesën e tifozëve të Bolivar që të largohet sa më shpejt sulmuesi shqiptar dhe të afrohet një bomber nga Amerika e Jugut i cili do të adaptohej me futbollin në kontinent ku europianët e kanë shumë të vështirë të përshtaten.

Shtuar 6.05.2021 03:05