Deputeti socialist Plarent Ndreca u paraqit sot në ambientet e SPAK, ku pas daljes dha një deklaratë të shkurtër për mediat. Ndreca sqaroi se është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes dhe nuk mund të japë detaje të mëtejshme, pasi hetimet janë ende në proces.
Ndreca është marrë më parë i pandehur në lidhje me procedurat për rikonstruksionin e katër komisariateve në Vlorë, Mirditë, Pogradec dhe Komisariatin nr. 4 në Tiranë, në kohën kur mbante detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.
Kallëzimi ndaj tij u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i cili evidentoi devijime dhe mospërputhje ligjore në procedurat e prokurimit publik, duke cënuar barazinë në garën e tenderave. Sipas KLSH-së, është konstatuar rritje e pajustifikuar e kostove të ndërtimit dhe projektimit gjatë këtyre procedurave.
Hetimet lidhen me periudhën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Sandër Lleshaj, ndërsa SPAK po shqyrton edhe një tender tjetër të kohës për uniformat e Policisë së Shtetit.