NUK KA PRESIDENT/ Shpërndahet Parlamenti, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditëve

Kuvendi i Kosovës ka dështuar që të zgjedhë Presidentin, pavarësisht afatit kushtetues 34-ditor.

Në minutat e fundit të këtij afati, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hedhur akuza të rënda ndaj opozitës.

Kështu, pas përfundimit të afatit kushtetues vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pasi Kuvendi i Kosovës shpërndahet automatikisht sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Dështimi i këtij procesi ka thelluar krizën politike dhe institucionale, duke e futur vendin në një tjetër periudhë pasigurie.

Pas disa tentativave në Kuvend, mungesa e kuorumit dhe e konsensusit mes pozitës dhe opozitës bëri të pamundur zgjedhjen e kreut të shtetit. Palët politike nuk arritën të siguronin marrëveshjen e nevojshme, ndërsa ngërçi institucional tashmë duket se ka vetëm një rrugëdalje: zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Gjatë ditës nuk munguan akuzat e ndërsjella mes partive. Përfaqësuesit e pushtetit fajësuan opozitën për mungesë bashkëpunimi dhe bllokim të procesit, ndërsa partitë opozitare akuzuan qeverinë për keqmenaxhim dhe përpjekje për ta përdorur krizën në funksion të kalkulimeve elektorale.

Moszgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues hap rrugën për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare. Ky zhvillim e vendos Kosovën përballë një testi të rëndësishëm politik, në një kohë kur vendi po përballet me polarizim të shtuar dhe pasiguri institucionale.

Zgjedhjet e parakohshme pritet të jenë një përballje e fortë mes partive kryesore, të cilat tashmë do të kërkojnë mbështetjen e qytetarëve për të dalë nga kriza dhe për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm politik të vendit.


Shtuar 29.04.2026 00:11