Nuk humb kohë! Kuvendi dërgon me urgjencë sot në “Kushtetuese” shkarkimin e Metës

Ditën e sotme, Parlamenti pritet të dorëzojë kërkesën për shkarkimin e kreut të Shtetit në Gjykatën Kushtetuese.

Kuvendi e shkarkoi me 109 vota pro Metën më 9 qershor, me argumentin se ka kryer shkelje të rëndë kushtetuese me deklaratat e tij gjatë fushatës elektorale.

Cfarë pritet të ndodhë?

Kushtetuesja një kopje të vendimit, bashkë me provat përkatëse, ia dërgon Presidentit, i cili ka të drejtë të japë me shkrim sqarimet dhe prapësimet që i çmon të nevojshme.

Më tej, Gjykata Kushtetuese vendos ose jo për kalimin e çështjes në seancë plenare, me shumicën e anëtarëve të saj, konkretisht me jo më pak se 5 vota.

Më pas, Gjykata Kushtetuese zhvillon një seancë publike për shqyrtimi e vendimit të shkarkimit të Presidentit. Për të mbledhur në seancë duhet që të marrin pjesë jo më pak se 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nga 9 anëtarë që ka në total. Në seancën plenare ftohet Presidenti dhe përfaqësues të Kuvendit, për të paraqitur pretendimet.

Mungesa në seancën plenare e Presidentit ose e përfaqësuesit të tij pa arsye nuk përbën shkak për mos zhvillimin e gjykimit. Pas seancës plenare, kur Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se Presidenti i ka shkelur rëndë Kushtetutën, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Kur Gjykata Kushtetuese nuk arrin në përfundimin se Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën, vendos shfuqizimin e vendimit të Kuvendit. Në të dy rastet vendimi hyn në fuqi sapo të shpallet dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Gjykata Kushtetuese do të nisë shqyrtimin e vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Metës brenda tre muajve.

 


Shtuar 14.06.2021 10:08