Nis procesi për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, procesi ndiqet nga Nancy VanHorn, ambasadori i BE dhe përfaqësuesi i ambasadës britanike

Këtë të enjte, zgjidhet kreu i ri i SPAK-ut. Në garë janë 4 kandidatë Klodian Braho, Elvin Gokaj, Doloreza Musabelliu dhe Adnan Xholi.

Secili kandidat do të bëjë prezantimin e tij, më pas do të pyetet nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të shkuar drejt votimit.

Procesi ndiqet nga përfaqësues të ambasadës amerikane, Nancy VanHorn, ambasadori i BE, Silvio Gonzato, por edhe përfaqësues të misioneve diplomatike të akredituar në vendin tonë.

Por kush janë kandidatët?

Adnan Xholi

Është një nga kandidatët me përvojë të gjatë, i emëruar për herë të parë në vitin 2004. Aktualisht, ai shërben si prokuror në SPAK dhe mban edhe detyrën e shefit të Seksionit të Krimit të Organizuar, një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të strukturuar.

Kjo është hera e dytë që Xholi kandidon për kreun e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Së bashku me Altin Dumanin dhe Elvin Kondilin ai kandidoi edhe në vitin 2022 kur mori vetëm votën e një prej anëtarëve të KLP-së, Sokol Stojanit. Xholi ka hetuar shumë nga dosjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Klodian Braho

I emëruar prokuror në vitin 2007, është po ashtu prokuror pranë SPAK që në krijimin e tij. Aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho është prokurori, i cili ka hetuar inceneratorin e Elbasanit.

Elvin Gokaj

Një nga prokurorët me përvojë në këtë garë është edhe Elvin Gokaj, i cili ka nisur karrierën e tij në dhjetor të vitit 2000. Ai ka qenë pjesë e SPAK prej kohësh dhe ka kontribuar në hetime të shumta me ndikim të lartë.

Gogaj ka hetuar kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyraj në lidhje me abuzimet në disa tenderë. Akuza ka të bëjë me tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro. Për këtë procedurë prokurimi krahas Jonaid Myzyrajt, janë marrë të pandehur edhe 10 persona të tjerë, 7 prej të cilëve të akuzuar për shkelje e barazisë në tenderë publikë, kryer në bashkëpunim.

Doloreza Musabelliu

E emëruar në tetor të vitit 2004, është prokurore në SPAK dhe ka një rol të rëndësishëm në strukturën e Prokurorisë së Posaçme. Ajo është një nga prokuroret që ka qenë pjesë e grupit të kanë hetuar dosjen e “Plumbi i Artë” ku tre bashkëpunëtor të drejtësisë kanë zbuluar me dhjetëra krime ndër vite në Shqipëri, të cilët deri tani janë konsideruar si ngjarje pa autor. Një tjetër dosje e hetuar nga prokurorja është edhe masakra e ndodhur në qendër të Lushnjës në 2017, ku u kërkua “burgim i përjetshëm” për Leart Haxhiun dhe dy shokët e tij Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.


Shtuar 11.12.2025 09:22