Ngjarja e rëndë me një viktimë në Elbasan bëhet lajm në mediat ndërkombëtare

Ngjarja e rëndë që ndodhi ditën e sotme në Elbasan, duket se ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare të cilat kanë raportuar lidhur me vrasjen e Pjerin Xhuvanit.

Mediat e huaja theksojnë faktin se vrasja e 56 vjeçarit ka ndodhur vetëm 4 ditë para zgjedhjeve paralamentare që do të zhvillohen me 25 prill në Shqipëri.

Ndër të tjera në artikullin e publikuar në mediat ndërkombëtare thuhet se viktima është mbështetës i Partisë Socialiste në Shqipëri, ndërsa autori i dyshuar i cili është në prangat e policisë njihet si truprojë e një politikani në radhët e Partisë Demokratike.

Ndërkohë kujtojmë se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të nisur mes mbështetësve të forcave politike në Elbasan ku si pasojë humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona. Mes të plagosurve është një efektive e policisë në përpjekje për të parandaluar krimin, Xhensila Sota.

Nga njëri grup u vra Xhuvani dhe u plagos dhëndri i tij, Eltjon Bodinaku, ndërsa në krahun tjetër u plagosën Emiljan Prenga 39 vjeç dhe Pavlo Vuksani 50 vjeç, që janë pjesë e shtabit të PD-së dhe u arrestua autori i vrasjes së 56-vjeçarit, Arbër Papleka, gjithashtu pjesë e PD-së në Elbasan.