Në kërkim për vrasjen e Gjin Ndojit, arrestohet në Emiratet e Bashkuara Denis Bajri

Në foto Gjin Ndoj

Denis Brajoviç, një ndër emrat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, është arrestuar në Emiratet e Bashkuara.

Brajoviç ishte shpallur në kërkim pas hetimeve të dosjes “Metamorfoza”.

Ai akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojt të kryer në vitin 2020, në Shkodër.

Zbërthimi i  aplikacioneve “Sky” dhe “Encro” zbardhi krimet e kryera, ku u përfshin emra të njohur të botës së krimit. Brajoviç shfaqet duke biseduar me Ervis Martinaj, lidhur me një ngjarje kriminale.

Policia njofton se arrestimi i tij në Emiratet e Bashkuara u bë për llogari të drejtësisë shqiptare, ndaj pritet edhe ekstradimi i tij.

“Finalizohet nga Policia në Emiratet e Bashkuara, operacioni policor i koduar “Rishtas”. 36-vjeçari i ndaluar, i akuzuar nga SPAK, për vrasje.

Në vijim të punës së pandërprerë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion se një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për vrasje, fshihej në Emiratet e Bashkuara.

Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të zyrave të Interpolit, ka mundësuar finalizimin në Emiratet e Bashkuara, të operacionit policor të koduar “Rishtas”, gjatë të cilit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit D. B., 36 vjeç, lindur në Shkodër. Ky shtetas është i akuzuar nga SPAK, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, pasi dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Gj. B. (N.), kryer më datë 09.08.2020, në Shkodër.

Vijon bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.”/albeu.com