Mosdeklarimi i kuponave, Tatimet thirrje bizneseve: Mos na detyroni të vëmë gjoba

Në zonën e Vlorës, gjatë fundjavës së kaluar 1521 biznese të sektorit të turizmit, nuk kanë deklaruar asnjë kupon tatimor.

Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, në një deklatatë për media është shprehur se këtë vit kërkesë-llogaria do të bëhet ndryshe.

Ibrahimaj u shpreh se duke qenë një ndër sektorët më të prekur nga pandemia, subjektet nuk do të gjobiten por do të negociohet me ta derisa të shlyenë detyrimet.

“2111 tatim pagues në Vlorë në sektorin e turizmit. 1521 gjatë fundjavës së kaluar nuk kanë shtypur kasë. Është përqindja më e lartë e të gjithë qyteteve të tjera. Është një shifër shumë shqetësuese. Nuk duam të veprojmë me gjoba. Shumicat e subjekteve sikur të deklarojnë çdo kafe të shitur nuk kanë për të paguar tatim-fitim. TVSH është 6%.

Një pjesë e këtyre e bëjnë për forcë zakoni dhe u duket normale. Është detyra jonë t’i kontaktojmë dhe t’u japim mundësi të vetërregullohen. Është një numër shumë i lartë subjektesh që deklarojnë vetëm një të punësuar. Ne e dimë që nuk mund ta mbash hapur vetëm nga mëngjesi deri në darkë.

Pjesa më e madhe e subjekteve operojnë me paga minimale. Është e patolerueshme që një kuzhinier të jetë me pagë minimale. Kur paguhet me 10-fishin e pagës minimale. Kemi identifikuar ato profesione që paguhen pjesërisht në të zezë dhe do t’i kontaktojmë për të reflektuar. Kjo është një politikë që po ndjekim prej një viti dhe ka funksionuar më mirë se forca dhe lufta që është bërë më parë kundër informalitetit” u shpreh ajo./albeu.com


Shtuar 11.06.2021 16:43