Ministrja e Financave “e painformuar” për çmimin e bukës: Nuk na rezulton të ketë rritje

Teksa të gjithë po i ndiejmë pasojat e inflacionit të lartë dhe rritjen e çmimeve të produkteve bazë në vend, nuk mendon njëlloj Ministrja e Financave.

Në një konferencë për mediat ditën e sotme Delina Ibrahimaj u shpreh se në vendin tonë nuk ka ndonjë rritje të madhe të çmimeve.

Ajo tha se bilanci nëse ka pasur apo jo rritje çmimesh në vendin tonë, do të bëhet pasi të dalin shifrat zyrtare.

Ibrahimaj tha se deri më tani qeverisë nuk i rezulton ndër të tjera, se ka pasur një rritje të përgjithshme të çmimit të bukës.

“Nuk ka një institucion që ka përgjegjës për monitorimin e çmimeve të tregut. Kemi krijuar tast forca që kanë pasur detyrë për mbikëqyrje. Gjatë 2022, kemi menduar të krijojmë një institucion që do jetë përgjegjës për monitorimin e konkurrencës që lidhet me çmimet në sektorë të ndryshëm, në 2023 do punojmë për krijimin e këtij institucioni, sepse është shumë e nevojshme. Sesa realisht janë rritur çmimet, këtë do ta shohim kur të dalin shifrat e inflacionit. Në dijeni tonë nuk ka pasur një rritje të përgjithshme të rritjes së çmimit të bukës, megjithatë ne politikat i hartojë dhe masat i marrin në bazë të statistikave zyrtare”, tha ajo.

Aktualisht çmimi i bukës masive është 100 lekë. Për periudhën 2021-2022 çmimi i bukës masive u rrit 3 herë radhazi me një rritje totale prej 71,4%. Shtrenjtimi i parë nisi në muajin shtator 2021, ku çmimi i bukës masive nga 70 lekë u rrit në 80 lekë (rritja 14%).

Në mesin e muajit mars 2022 çmimi i bukës shënoi sërish rritje duke arritur në 100 lekë (rritja 25%). Ndërsa në disa rrethe, si Korça, Pogradeci, Gjirokastra apo Saranda për shkak të shtrenjtimit të kostove të transportit të miellit nga karburanti çmimi i bukës arriti në 120 lekë

/albeu.com

 


Shtuar 31.03.2023 11:25