Mijëra pula të ngordhura në Durrës, Ministria qetëson qytetarët: Sëmundja nuk transmetohet te njerëzit

Ministria e Bujqësisë ka reaguar sërish në lidhje me ngordhjen e një numri të madh shpendësh në tre pulari në Durrës.

Sipas ministrisë, nuk bëhet fjalë për grip shpendësh, por për një tjetër sëmundje, të quajtur “laringotrakeiti infektiv”, i cili prek rrugët e sipërme të frymëmarrjes.

Ministria ka qetësuar qytetarët, ku tha se nuk ka asnjë rrezik që sëmundja të kalojë te njerëzit.

“Deri më tani raportohen rreth 200 mijë shpendë të ngordhura. Janë kryer pranë ISUV analizat në bazë të mostrave të marra. Sipas të dhënave të deritanishme rezultatet tregojnë sëmundjen e Laringotrakeitit infektiv në shpendë. Është një sëmundje që prek kryesisht shpendët. Laringotrakeiti infektiv nuk është një sëmundje zoonotike dhe nuk transmetohet te njerëzit dhe as nëpërmjet produkteve ushqimore nga shpendët, për pasojë nuk përbën rrezik për shëndetin publik.  Është e rëndësishme të theksojmë dhe të sigurojmë konsumatorët se deri më tani nuk ka asnjë rast ku të jetë shfaqur influence aviare (gripi i shpendëve)”, thekson ministria, duke shtuar se në subjektet e tjera shpendrritëse për vezë e mish, në të gjithë territorin e vendit, AKVMB ka marrë masa të menjëhershme për parandalimin e përhapjes së sëmundueshmërisë dhe deri më tani nuk është raportuar asnjë rast.

Kujtojmë se ditën e djeshme u raportuar për 500 mijë pula të ngordhura në tre pularitë më të mëdha në Durrës, Aiba, Ovvital dhe Reas./albeu,com


Shtuar 17.03.2022 11:22