Meta nuk dha dorëheqjen, PS: Po i bëjmë gati letrat e pensionit, të pijë raki me Saliun

Numri 2 i PS,  Taulant Balla ka paralajmëruar shkarkimin e presidentit Meta, teksa thotë se me përfundimin e numërimit të votave do të bëhen gati letrat për të nxjerrë ”në pension” Metën.

“Me Baba Dridhe Liken çuditen vetëm ata që s’e kuptojnë akoma që i ka lëshuar pëllumbat përfundimisht! Askush s’ka pritur të mbajë fjalën për dorëheqje! Po ja të mbarojë procesi i numërimit dhe t’ia bëjmë gati letrat e pensionit, të pijë raki me çifteli me Saliun ke azili Lalzit!”, shkruan Balla në postimin e tij.

Pak më parë, zëdhënësi i kreut të Shtetit,  Tedi Blushi ka konfirmuar se  një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe Meta do të vijojë të mbajë postin e presidentit.

“Për të gjithë sahanlëpirësit e Bablokut: Presidenti Meta di vetëm TË MBAJË FJALËN! Presidenti Meta e ka bërë të qartë se nëse Edi Rama fiton 71 mandate në mënyrë demokratike do të japë dorëheqje. E gjithë Shqipëria e di si i ka fituar Babloku këto zgjedhje, ndaj qetësohuni: NUK KA DORËHEQJE!”, shprehet Blushi.


Shtuar 28.04.2021 14:50