Meta: Largimi i trurit dhe i rinisë është një plagë e madhe për vendin

Presidenti i Ilir Meta ka reaguar pas raportit të Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtar në Vjenë, i cili e rëndit Shqipërinë ndër vendet me rrjedhjen më të lartë të trurit në rajon.

Sipas Kreut të Shtetit, largimi i rinisë është një plagë e madhe për vendin, ndaj ky fenomen duhet të ndalet sa më parë.

“Shqipëria ka nevojë për “fitim të trurit” dhe jo “ikje të trurit”, shkruan Presidenti Meta.

Postimi i plotë Metës

Largimi i trurit dhe i rinisë është një plagë e madhe për vendin.

Një tjetër institucion prestigjoz, Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, bën me dije se fenomeni i shpopullimit në Shqipëri, gjatë viteve të fundit është përkeqësuar sidomos me largimin e grupmoshave 20-24 vjeç.

Studimi vëren se nga 105 mijë qytetarë që ikin nga Shqipëria, 40,700 persona janë të arsimuar ose 40 për qind e totalit.

Largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë duhet ndalur sa më parë.

Të rinjve tanë u duhen ofruar më shumë shpresë, alternativa edukimi dhe punësimi, ndërsa të arsimuarve më shumë shanse të barabarta, vlerësim meritokracie dhe vende pune, ku të shfaqin talentin dhe potencialin e tyre intelektual.

Shtuar 31.03.2021 10:03

Tags: