Mbyllet “Dosja 339”, burg për 21 komisionerët e Shijakut

Sot është mbyllur gjykimi i dosjes 339 dhe komisionerët janë dënuar me heqje lirie, ndërsa është zbatuar ulja e dënimit për të akuzuarit për krime zgjedhore të kësaj dosjeje.

Gjykimi është në lidhje me shkeljet e bëra gjatë zgjedhjeve lokale 2017 në Durrës e Shijak.

Në fillim të hetimeve, prokuroria kishte 23 të akuzuar, mirëpo dy prej tyre rezulton se janë ndarë nga jeta gjatë kësaj periudhe kohore prej vitit 2017.

Nga hetimi ka rezultuar se në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit 2017, me qëllim ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, A.Z ka vulosur fletë votimi dhe votuar në emër të 25 shtetasve të tjerë, të cilët ndodheshin jashtë shtetit.

Shumica e personave që janë dërguar në gjyq rezultojnë ish-komisionerë të tre qendrave të votimit në Shijak.

“Dosja 339” lidhet me hetimin rreth një grupi të trafikut të drogës, të cilit në tetor 2018 iu gjet dhe sekuestrua një laborator heroine në Has.

Grupi u pikas në përgjime të fliste edhe për blerje dhe frikësim votuesish gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, kjo bëri të mundur që autoritetet të nisnin një hetim paralel edhe për ndikim, apo manipulim të zgjedhjeve.

Për këtë çështje në prokurori qe pyetur edhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe zyrtarë të tjerë lokal.


Shtuar 21.06.2021 16:55

Tags: