Mbi 2 mijë euro medikamente, kapet në Kakavijë 30-vjeçari po transportonte ilaçe kontrabandë

Policia Kufitare e Kakavijës ka arrestuar një të ri duke goditur një rast të kontrabandës me medikamente mjekësore. Sipas policisë, është sekuestruar një sasi të konsiderueshme ilaçesh të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës me vlerë 2 200 euro në total.

Ilaçet janë gjetur në kabinën e kamionit të ndara në 4 qese, teksa është arrestuar D. K, 30 vjeç, banues në Fier.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë përzgjedhur për kontroll të detajuar një mjet kamion që drejtohej nga shtetasi D. K.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe shërbimet e Frontex-it, gjetën të fshehura në kabinën e kamionit 4 qese, brenda të cilave kishte medikamente mjekësore (ilaçe) me vlerë totale 2 200 euro, të pa shoqëruara me dokumentacionin përkatës.

Pas veprimeve të kryera hetimore, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin D. K, 30 vjeç, banues në Fier.

Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuar”.


Shtuar 13.06.2021 09:16