Mbappe te Real Madridi, Zidane në stolin e Francës?

Raphael Varane do të donte të bashkohej me Kylian Mbappe te Real Madridi, një lojtar që e konsideron si “një nga më të mirët në futbollin europian”.  Për “Europe1”, qendërmbrojtësi francez pohoi: “Mbappe është ende i ri, por ka bërë përparim të madh dhe vazhdon të zhvillohet. Ai po bëhet një lojtar i gjithanshëm, spikat si golashënues. Pa diksutim, është një nga më të mirët. Qëllimi im është të luaj përkrah lojtarëve më të mirë dhe Kylian është një nga yjet e futbollit europian”.

Po ashtu, atij i pëlqen ideja që drejtimin e kombëtares së Francës ta marrë Zinedine Zidane. Mundësia për të punuar me Zidane mund ta joshë edhe Mbappe për të kaluar në “Bernabeu”. Kontrata e Didier Deschamps me Francën do të skadojë pas Kupës së Botës në Katar. Varane nënvizoi në fjalën e tij, nga grumbullimi me “gjelat”:

“Ekipi kombëtar francez është një objektiv për çdo trajner francez. Është normale që Zidane të  konsiderohet potencialisht për këtë rol, por nuk është diçka e rëndësishme tani për tani. Trajneri ynë (Deschamps) po bën një punë shumë të mirë, ndaj duhet të përqendrohemi në qëllimet tona afatshkurtra: të sigurojmë praninë tonë në Kupën e Botës dhe më pas në Euro 2021”.


Shtuar 22.03.2021 16:23