Maturantët protestojnë para Ministrisë: O sistem i korruptuar, ti arsimin po e vret!

Ka nisur dita e dytë e protestës së maturantëve në lidhje me provimet e Maturës Shtetërore.

Qindra maturantë janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit duke bllokuar kështu edhe Rrugën e Durrësit ku po devijohet lëvizja e mjeteve. Ata kërkojnë anulim të VKM-së lidhur me provimet e maturës, duke paralajmëruar se nëse nuk do të ketë ndryshim do bëhet bojkotim.

“Duam ndryshim! Anuloje VKM-në! Po s’pati ndryshim, do bëhet bojkotim! Zyrat bosh, Rozana me pushime! Nuk ka dialog, nuk ka negociata, plotësoni kërkesat se janë shumë të qarta!”, ishin disa nga thirrjet e tyre.

“O sistem i korruptuar, ti arsimin po e vret! Kërkojmë ndryshim dhe jo rivlerësim”, brohoritën në kor maturantët.

Disa nga maturantët shprehen se provimi i matematikës ishte i vështirë dhe  i pabazuar në ato që ata janë përgatitur. Disa prej maturantëve kërkojnë po ashtu uljen e pragut të pikëve.