Mandat qeverisës i blinduar me zgjedhje të minuara!

nga Tekim Peza

Tashmë është zyrtare, qeveria Rama ka arritur të sigurojë dhe blindojë fuqishëm mandatin e tretë rradhazi në Shqipëri. Si asnjëherë tjetër më parë, votat e Partisë Socialiste nuk u rrudhen në rang vendi por se arritën të projektonin 74 ulëse në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, duke e bërë kështu mëse të mjaftueshme krijimin e qeverisë Rama-3.

Por ajo çka ndodhi gjatë këtij proçesi elektoral ishte e paprecedentë në disa aspekte. Duke filluar nga presioni i madh mbi administratën, që nga punonjësit e drejtorive më të rëndësishme e deri tek edukatoret e çerdheve, administrata e shtetit u detyrua të ishte për disa muaj shërbëtore në shesh e partisë në pushtet dhe duke i siguruar asaj vota në mënyre ekskluzive. Referuar ndryshimeve të fundit kushtetuese, të cilat u votuan në mënyre krejtësisht të njëanshme, qeveria vendosi veton mbi elementët elektorale dhe gjatë gjithë fushatës krijoi veçse tymnajë e ushtroi nënçmim ndaj kandidatëve të opozitës.

Nëpërmjet fushatës pa program por me plot hajgare e gallatë, kryeministri Rama arriti edhe njëherë të bindi shumicën e popullit e të sfidonte presionin e madh opozitar, ku patjetër dukej këtu dhe përfshirja direkte e Presidentit Meta. Populli gjithashtu tregoi pakënaqësinë e tij me vendosjen e rekordit të votave të pavlefshme kundër të dyja palëve dhe prej listave të papërfaqësuara denjësisht.

Gjithashtu, nuk mund mos të bie në sy rezultati bindës i partise PSD së Tom Doshit ku arriti të kishte këtë herë në mënyrë krejtësisht surprizë ndikimin e saj në nivel kombëtar. Siç edhe ishte e parashikuar nga ndërkombëtarët, fenomeni i blerjes së votës është dukshëm prezent në këtë rast që kurrsesi nuk mbeti rast lokal. Ushtrimi i presionit mbi zgjedhësit, premtimet e qeverisë për vendet e reja të punës për militantet e saj, monitorimi i zonave elektorale nëpërmjet angazhimit të çunave problematikë, janë këto faktorë që mandati i 3-të i Ramës u blindua porse zgjedhjet rezultuan të minuara. Detyra e opozites në këto momente është ndjekja e rrugës zyrtare të ankesave dhe raportimit të shkeljeve ligjore elektorale në organet përkatëse të drejtësisë.


Shtuar 28.04.2021 12:40