“Mafia shqiptare punon për Ndragheta-n në Itali”, kreu i antimafies “hap letrat”: Si menaxhohet trafiku i drogës

“Mafia shqiptare punon për mafien kalabreze Ndrangheta. Mafia shqiptare ka marrë në nënkontraktim nga mafia kalabreze menaxhimin e trafikut të drogës.”

Kështu u shpreh Maurizio Vallone, Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Antimafias Italiane gjatë përurimit të një ekspozite në Genova, me rastin e 30 vjetorit të departamentit të hetimit antimafia.

“Për mbi 30 vjet Liguria ka parë praninë e të gjithë mafiozëve. Por hetuesit kanë arritur të përballen me infiltrimin.”

“Genova është një port i cili ka qenë nën mbikëqyrje të rreptë nga hetuesit dhe këtë e dëshmojnë sasitë e mëdha të sekuestruara”, shtoi ai.

“Aty ku ka më shumë sekuestrime ka më shumë vëmendje. Konfiskimet e fundit në portin e Genovas nuk tregojnë domosdoshmërisht se ka pasur rritje të trafikimit të drogës, por operacionet policore janë përmirësuar. Krimi i organizuar është goditur edhe nëpërmjet sekuestrimeve që lejojnë dëmtimin e organizatave kriminale”, tha Vallone.

“Liguria ka qenë një vend i infiltrimit të të gjithë mafiozëve për 30 vjet. Krimi i organizuar shkon atje ku ka para, një ekonomi të pasur dhe të shëndetshme.”

Në raportin e fundit të Antimafies Italiane, trafiku i drogës mbizotëron në aktivitetin kriminal të rajonit të Ligurias. 60% e operacioneve të kryera gjatë vitit 2021 i përkasin punës së antidrogës territoriale.

Vallone tha se duhet intensifikuar aktiviteti hetimor edhe në zonat e tjera ku konstatohet krimi./abcnews.al