Luftë deri në fund, a do ta thyejë Agron Kapllanaj herësin në Fier?

Në këto zgjedhje ka pasur disa surpriza që kur ka nisur numërimi i votave për kandidatët.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre, nga ytë dyja kampet kanë thyer herësin duke siguruar kështu një karrige në Kuvend.

Ndërkohë, nga radhët e Partisë Demokratike, pas Luçiano Boçit në Elbasan, një tjetër kandidat është në prag për të thyer herësin.

Gjatë gjithë numërimit ish-kreu i Bashkisë së Mallkastrës, Agron Kapllanaj ishte pretendenti kryesor për të thyer herësin prej 10 000 votash në Fier.

Por sa shanse ka aktualisht Kapllanaj ta arrijë qëllimin e tij?

Ai u rendit si nr.9 në listën e Fierit ku duket se kryedemokrati Basha i besoi votave të tij personale, synim të cilin Kapllanaj duket se e ka realizuar. Deri më tani ka marrë 9 252 vota nga 568 kuti të numëruara.

Atij i duhen edhe 749 vota për të arritur kuotën e 10 001 votave që do t’i mjaftonin të skualifikonte burrin më pak të votuar mes  gjashtëshes fituese të demokratëve në Fier.

Edhe pse ka bërë një garë të fortë, aritmetikisht duket e pamundur që ai ta thyejë herësin për aq pak kuti sa kanë mbetur. Kapllanaj ka marrë mesatarisht 16 vota për kuti dhe duke qenë se tani i duhen edhe 749 vota, duket e pamundur që të rrisë befasisht mesataren e votave për kuti nga 16 që e ka aktualisht në 62 që i duhen.

Shtuar 29.04.2021 03:04