Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli për “një nga ditët më tragjike në historinë e Izraelit” .
Ai vuri në dukje se ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Izraelit Eli Cohen dhe shprehu “solidaritetin e Bashkimit Evropian dhe dënimin e tij ndaj dhunës dhe terrorizmit”.
“Siç kemi thënë në një deklaratë të lëshuar më herët, BE qëndron në solidaritet me Izraelin, i cili ka të drejtë të mbrohet sipas ligjit ndërkombëtar, kundër sulmeve të tilla të dhunshme dhe pa dallim,” shtoi ai .
Borrell foli gjithashtu me kryeministrin palestinez Mohammad Stageh.
“Tani prioritet është ndalimi i menjëhershëm i dhunës dhe de-përshkallëzimi, si dhe lirimi i të gjithë pengjeve”, theksoi ai.
Ai shtoi se “siguria e stafit tonë diplomatik të BE-së ka qenë gjithashtu një burim shqetësimi”.
Përfaqësuesi i Lartë ishte në kontakt gjatë ditës së djeshme të shtunën me Delegacionin dhe i gjithë personeli aktualisht është i sigurt, ashtu si edhe stafi civil i Misioneve të Përbashkëta të Politikës dhe Sigurisë (CSDP) në terren.
“Ne gjithashtu koordinojmë shërbimet konsullore dhe shërbimet e sigurisë për qytetarët e BE-së, në kontakt me shtetet anëtare”, theksoi ai.
Përfaqësuesi i Lartë vuri në dukje se “shkalla e sulmit ka habitur komunitetin ndërkombëtar, por ne e dinim se përparimi për paqe nuk ishte i qëndrueshëm”.
“BE rikujton rëndësinë e punës për një paqe të qëndrueshme përmes përpjekjeve të rinovuara në procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Kjo është pikërisht arsyeja pse, së bashku me Lidhjen e Shteteve Arabe, Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Jordaninë, ne filluam një nismë të përbashkët për të ndihmuar në rigjallërimin e zgjidhjes me dy shtete më 18 shtator me “Përpjekjet e Ditës së Paqes”. Qëndrimi i BE-së mbetet se rruga përpara qëndron në zgjidhjen me dy shtete ”, përfundoi Josep Borrell./Albeu.com