Presidenti Ilir Meta nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka dënuar ashpër veprimin e Kryeministrit Rama i cili gjatë ditës së sotme largoi një gazetare pasi nuk kishte maskë.
Meta thotë se ky është një sulm i dënueshëm, pikërisht disa ditë pas linçmimit publik të Grida Dumës.
Ai i bën thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të grave që të reagojnë fuqimisht.
STATUSI NGA ILIR META
Dënoj me ashpërsi dhunën e papranueshme fizike të ushtruar sot nga Kryeministri ende në detyrë ndaj gazetares së nderuar të televizionit “Fax News”, znj.Edona Haklaj.
Përdorja e forcës mbi një reportere në krye të detyrës, mbi të gjitha një vajze të re, me pretekstin e mosmbajtjes së maskës antiCOVID, është e papranueshme për traditën shqiptare, moralin njerëzor, për çdo shoqëri demokratike dhe etikën institucionale, për më tepër kur akti i dhunës ushtrohet publikisht nga kryetari i Këshillit të Ministrave.
Ky sulm i dënueshëm, që vjen pak ditë pas linçimit publik të znj.Grida Duma, është vijim i revanshit të rrugaçërisë, dhunës, presionit, shantazhit e bullizmit konstant, që prej vitesh ushtrohet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura në vend, por dhe ndaj femrave e grave shqiptare, që në të kaluarën e kanë denoncuar dhunën ndaj tyre të këtij individi.
Duke theksuar se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, u bëj thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit, si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të grave, të reagojnë fuqimisht edhe ndaj këtij rasti të përsëritur.
Shpreh solidaritetin tim të plotë me gazetaren Edona Haklaj, televizionin “Fax News” dhe të gjithë kolegët e saj të pavarur e kurajozë, të cilët i inkurajoj për të vijuar pa u trembur, misionin fisnik të informimit publik. /albeu.com/