Largimi si këshilltare e Berishës, Erla Mëhilli rrëfen porosinë që i dha ai! “Disa sulme politike kanë qenë të panevojshme”

Erla Mëhilli, ish-zëdhënësja dhe ish-këshilltarja e liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, vendosur të rrëfehet dhe të zbulojë shumëçka nga jeta e saj politike, marrëdhëniet me Berishën dhe deri te vendimi për t’u larguar nga politika.

Në një intervistë për revistën Bordo, Erla Mehilli thotë se doktor Berisha e priti shumë mirë zgjedhjen e saj dhe largimin nga zyra e tij drejt një studioje televizive.

Edhe pse nuk isha shkëputur zyrtarisht nga posti i këshilltares së Berishës, ai e priti shumë mirë dhe më dha një këshillë; të ruaja ritmin në program. Sigurisht që kemi folur edhe pas programit të parë dhe kemi kontakte sërish, pavarësisht punës time të re”.

Erla Mëhilli thotë se vitet e fundit, kohën më të madhe e kalon me fëmijët dhe e pranon se mëmësia e ka ndryshuar.

Ajo thekson se tashmë i sheh gjërat ndryshe dhe shumë prej atyre që ka bërë, qofshin edhe për kauza politike, sot ndoshta as që do t’i imagjinonte.

“Mëmësia më ka pjekur. Po të kthesha pas në kohë, shumë gjëra do t’i bëja ndryshe në profesionin tim. Kur isha zëdhënëse e PD-së, deklaratat politike ishin të forta.

Disa sulme politike përfshinin edhe familjarët, ndaj me syrin e gruas dhe nënës që i shoh sot, nuk do t’i bëja.

Të gjithë e dinë që ato kanë qenë qëndrime partiake dhe jo personale, por ka qenë e panevojshme gjuha konfliktuale, aq më tepër në gojën e një vajze të re”, shprehet ajo.

ROMANCA BLU DHE RAPORTI I KEQ ME PARATE

Njohja me bashkëshortin ishte si të thuash si një romancë blu, sepse ndodhi brenda Partisë Demokratike, ishin të dy të rinj dhe zbuluan se përveçse kishin bindje të njëjta, kishin edhe shumë të përbashkëta të cilat i çuan drejt altarit, duke finalizuar martesën, nga e cila kanë dy djem.

Me Keltin nuk debatojmë shumë, sepse ai është më i qetë si natyrë. Unë jam më instiktive, Kelti është më me këmbë në tokë. Kur bëja analiza politike e kisha të vështirë të ruaja ekuilibrin, të isha më objektive, ndaj Kelti mundohej të më mbante në këtë pikë duke u bërë busull për mua dhe kritiku im më të fortë”.

Sot jeta e saj rend pas familjes dhe televizionit, pasionet e saj, mes tyre sporti, si: vrapi, noti apo palestra, nuk kanë qenë dhe aq pjesë e rutinës së saj, sidomos pas periudhës së pandemisë, por Erla ndihet paksa komode, sepse gjenet e mira që ka bartur nga prindërit, janë pjesë e trashëgimisë së paçmuar, për të cilën u është mirënjohëse.

“Gjenet janë një aspekt, por nga ana tjetër kujdesem për veten, ushqehem në mënyrë të rregullt dhe nuk harroj trajtimet e duhura estetike. Raportin me blerjet i kam pak të “këqija”, e kam pasion dhe më pëlqen të vishem bukur. Më parë, më së shumti veshjet e mia ishin kostume, por nga momenti që ishim në opozitë kalova tek stili më sportiv, hoqa takat dhe i zëvendësova me atletetet”.


Shtuar 13.08.2021 12:46