Deputetët do të rikthehen në Kuvend më 8 shtator, me një sërë reformash të pambyllura në rend dite, të cilat mbetën pezull për shkak të përplasjes politike. Sesioni i ri pritet të shoqërohet me vijimin e tensioneve mes mazhorancës dhe opozitës.
Çështja e parë që do të vërë në provë marrëdhëniet mes palëve është harta e re territoriale. Socialistët synojnë që zgjedhjet vendore të vitit 2027 të zhvillohen në një ndarje të ndryshme, me 46 bashki, ndërsa miratimi i hartës së re parashikohet të bëhet në fillim të tetorit. Demokratët, nga ana tjetër, kërkojnë që çdo ndryshim të dakordësohet përmes një konsensusi politik.
Të lidhura
None found
“Kujtojmë këtu, meqë ju referuat vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor dhe Gjykatës Kushtetuese sa i përket reformës së vitit 2014, që nga ana jonë u çua në Gjykatën Kushtetuese. Objekt i debatit në gjykatë ishte gjithashtu dhe fakti nëse tre të pestat që kërkon miratimi i një reforme të tillë kërkojnë një konsensus substancial midis forcave kryesore politike për miratimin e një reforme të tillë apo pasjen nga një mazhorancë të caktuar të një numri formal votash, çka do ta bënte reformën subjekt i një vullneti elektoral për të marrë rezultat zgjedhor në një moment të caktuar”, deklaron deputeti i PD, Ivi Kaso.
Pa numrat e nevojshëm për ta ndalur projektin në Parlament, opozita po shqyrton dy rrugë kundërshtimi. E para është dërgimi i hartës në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa e dyta lidhet me organizimin e referendumeve lokale në 15 njësi vendore që nuk pranojnë bashkimin me bashki më të mëdha.
“Qëndrimi politik i PD është i qartë, nuk e njeh këtë produkt të njëanshëm që do të sillte fitoren në tavolinë të zgjedhjeve vendore të vitit 2027 dhe do t’i paraprinte rrëmbimit të një tjetër mandati në zgjedhjet e përgjithshme, kurdo që ato të jenë. Një nga opsionet që e ka artikuluar dhe kryetari i partisë për ta kundërshtuar atë është mbajtja e referendumeve vendore, të cilat sigurisht kanë kompleksitetin e tyre dhe vështirësinë e tyre për t’i mbajtur”, shprehet Ivi Kaso.
Pavarësisht përçarjes lidhur me reformën territoriale, dy forcat kryesore politike kanë ruajtur bashkëpunimin për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Socialistët dhe demokratët kanë arritur të bien dakord për reformën zgjedhore.
Punimet e Kuvendit u shtynë për të martën për shkak të shenjtërimit të “Nënë Terezës”. Në paraditen e 8 shtatorit, Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet për të miratuar kalendarin parlamentar, ku përfshihen edhe ndryshimet ligjore që parashikojnë rritjen e pagave të magjistratëve.
Seanca plenare do të nisë në orën 17:00 dhe do të ketë karakter ceremonial, ndërsa mesazhi kryesor pritet të përcillet nga kryetari i Kuvendit. Rikthimi i deputetëve pas pushimeve pritet të shoqërohet edhe me protestë, pasi qytetarët do t’i presin në hyrje të Parlamentit me vezë në duar.
