Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos pranojë kërkesën e Ervin Salianjit për shfuqizimin e dënimit me 1 vit burg, duke arsyetuar se procedura gjyqësore është zhvilluar në përputhje me standardet ligjore.
Vendimi ishte paralajmëruar rreth dy javë më herët nga ish-deputeti demokrat. Salianji pretendoi se dënimi dhe procesi ndaj tij synonin ta përjashtonin nga zgjedhjet lokale. Ai deklaroi gjithashtu se, nëse Gjykata Kushtetuese do ta rrëzonte kërkesën, do t’i drejtohej Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Të lidhura
None found
Sipas qëndrimit të tij, çështja nuk përbënte vetëm një seancë për një proces personal, por një provë për Gjykatën Kushtetuese dhe për zbatimin e Kushtetutës përballë pushtetit politik. Salianji tha se drejtësia në Shqipëri ndikohet nga dosje korrupsioni, regjistrime shantazhuese, akuza për bashkëpunim me shërbime dhe lidhje me grupe kriminale, duke përmendur edhe Xhafajt.
Ish-deputeti e cilësoi këtë situatë si një drejtësi të varur nga politika dhe jo si një sistem që qëndron mbi të. Ai theksoi se beteja nuk përfundon me vendimin e Kushtetueses dhe se në Strasburg do të paraqitet e vërteta e çështjes dhe e gjithë procedura e ndjekur ndaj tij.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shqyrtoi më 29.09.2026, në seancë plenare dhe mbi bazë të dokumenteve, çështjen me kërkues Ervin Salianji. Kërkesa kishte si objekt shfuqizimin e vendimit nr. 2900, datë 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; të vendimit nr. 30-2024-6822, datë 26.09.2024, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm; si dhe të vendimit nr. 00-2025-421, datë 11.03.2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me pretendimin se ato ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në mbledhjen e datës 09.10.2026, pasi analizoi pretendimet dhe prapësimet e palëve, Gjykata vlerësoi se çështja duhej shqyrtuar në raport me lirinë e shprehjes, të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës, në lidhje me ushtrimin e mandatit parlamentar dhe standardin e arsyetimit të vendimit gjyqësor.
Duke iu referuar edhe jurisprudencës së GJEDNJ-së, Gjykata nënvizoi se liria e shprehjes së deputetëve ka rëndësi të veçantë, por se neni 10 i KEDNJ-së nuk ofron një mbrojtje të pakufizuar kur personat e përfshirë nuk veprojnë me mirëbesim për të përcjellë informacion të saktë dhe të besueshëm.
Gjykata arriti në përfundimin se dënimi penal ndaj kërkuesit përbënte ndërhyrje në lirinë e shprehjes. Megjithatë, në vlerësimin e bërë sipas kritereve të nenit 17 të Kushtetutës, ajo çmoi se ndërhyrja ishte parashikuar nga ligji dhe ndiqte një qëllim legjitim.
Pas analizimit të proporcionalitetit, me shumicë votash, Gjykata vendosi se ndërhyrja ishte në raport të drejtë me qëllimet legjitime të ndjekura. Sipas saj, arsyet e dhëna nga gjykatat e zakonshme për justifikimin e vendimit ishin relevante dhe të mjaftueshme.
Po me shumicë votash, pretendimet e tjera të Salianjit lidhur me të drejtën për një proces të rregullt ligjor u vlerësuan si të pabazuara.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të bëhet publik i arsyetuar brenda afateve ligjore të përcaktuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.







