Sistemet informatike të Komisionit Evropian janë bërë objekt i një sulmi të gjerë kibernetik, i cili ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve dhe ka ngjallur shqetësime për ekspozimin e një vëllimi të konsiderueshëm të të dhënave personale të personelit.
Bazuar në informacionet e publikuara nga “Politico”, incidenti ka zgjatur më shumë se dhjetë ditë dhe pasojat ende nuk janë menaxhuar plotësisht. Goditja ka paralizuar disa prej sistemeve kyçe të institucionit, duke e bërë të vështirë kryerjen e procedurave rutinë administrative si regjistrimi i orarit të punës, kërkesat për pushime dhe përpunimi i rrogave.
Të lidhura
None found
Një burim zyrtar nga Bashkimi Evropian deklaroi se Komisioni vlerëson se e ka izoluar pjesën më të madhe të sulmit, por shtrirja e plotë e dëmit mbetet ende e panjohur. Ai shtoi se sistemet po rikthehen në mënyrë graduale, ndonëse ky proces po zgjat më shumë seç ishte parashikuar fillimisht.
Sipas “Politico”, CERT-EU, shërbimi përgjegjës për sigurinë kibernetike të institucioneve evropiane, zbuloi në fillim të muajit se sulmuesit kishin shfrytëzuar ARTEX, një vegël e inteligjencës artificiale me qasje të hapur, e konceptuar për të gjetur dobësi në infrastrukturat dixhitale.
Si masë parandaluese, një numër aplikacionesh të Komisionit u pezulluan përkohësisht për të minimizuar dëmet e mundshme.
Thomas Rainier, zëdhënës i Komisionit Evropian, konfirmoi se institucioni kishte ndërmarrë hapat e duhur pas identifikimit të fushatës kibernetike, duke theksuar se sisteme të veçanta ishin vënë në shënjestër dhe se individët e prekur ishin njoftuar sipas rregullave përkatëse.
Midis platformave të goditura përmenden Sysper, sistemi i burimeve njerëzore që menaxhon pagat, pushimet dhe oraret, si dhe MyPMO, i cili shërben për rimbursimin e shpenzimeve shëndetësore.
Megjithëse të dyja platformat rifilluan punën në fillim të javës, Sysper pësoi një tjetër bllokim të shkurtër të mërkurën.
Kjo gjendje i ka detyruar drejtuesit e Komisionit të aktivizojnë protokollet e brendshme të emergjencës. Sipas një komunikimi elektronik të brendshëm që ka siguruar “Politico”, në fillim të muajit u mblodh me urgjencë Bordi i Menaxhimit të Korporatave për të shqyrtuar incidentet kibernetike në vazhdimësi. Njëkohësisht, departamenti përgjegjës për shërbimet dixhitale kërkoi forcimin e masave të sigurisë.
Ndërkaq, komisionerja për Teknologjinë, Henna Virkkunen, i ka vënë në dijeni kolegët e saj gjatë mbledhjes së Kolegjit të Komisionerëve të mërkurën lidhur me veprimet e menjëhershme për përballimin e situatës.
Goditja ndaj Komisionit Evropian ndodh në një periudhë kur institucionet dhe korporatat e mëdha globale po hasin një sërë incidentesh kibernetike. Në listën e objektivave të sulmeve të kohëve të fundit janë përfshirë edhe Microsoft, banka të rëndësishme amerikane, Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) në SHBA, si dhe kompani të njohura si Air France, BBC dhe Zoom.







