Kurti: Mirëpres riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën nga “Trekëndëshi i Vajmarit”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur deklaratën e përbashkët të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, të cilat kanë bërë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën, përkushtimin ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Tre vendet, ose “Trekëndëshi i Vajmarit”, përveç thirrjes për progres në liberalizimin e vizave për Kosovën, në deklaratën e së premtes kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugën e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.

Kryeministri Kurti përmes një postimi në Twitter, shprehet se mirëpret riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së.

“E mirëpres riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal nga ministrat për Çështje Evropiane të Trekëndëshit të Vajmarit. Pres me padurim vizitën e tyre të përbashkët”, shkruan Kurti.