Kultivonin lëndë narkotike, prangosen babë e bir në Mirditë

Babë e bir kanë rënë në prangat e policisë së Mirditës, pasi kultivonin lëndë narkotike.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Shtetit përmes një njoftimi.

Njoftimi i Policisë:

Mirditë/Kontrolle masive të territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Finalizohet një tjetër operacion antikanabis, i koduar “Continues”.

Gjenden dhe asgjësohen me anë të djegies, bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Mirditë, bazuar në informacione të marra në rrugë operative, për dy shtetas që kishin kultivuar bimë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Continues”.

Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin Blinisht, njësia administrative Orosh, rrethi Mirditë, konkretisht në vendin e quajtur “Përroi i Seftes”, në ambient të hapur, janë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Në vijim të veprimeve hetimore, janë identifikuar si autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve, shtetasit B. Ll., 49 vjeç dhe A. Ll., 20 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Blinisht, Mirditë, të cilët u arrestuan në flagrancë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.