Kthyen shtëpinë në bazë përpunimi të kokainës dhe heroinës, dy të arrestuar në Durrës

Policia në Durrës ka arrestuar dy persona që kishin përshtatur banesën e marë me qira si bazë për përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë.

Njoftimi i policisë:

Durrës

Goditet një bazë e përpunimit të drogave të forta.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Baza”.

Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Narkotikëve në DVP Durrës, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas që kishin përshtatur banesën e marë me qira si bazë për përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë.

Sekuestrohen 408 gramë lëndë narkotike heroinë, 11.5 gr lëndë narkotike kokainë, 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi vlere monetare.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Seksionit për Narkotikët në DVP Durrës, në vijim të kontrolleve me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, kapjen e personave që disponojnë armë zjarri, si dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotikëve, në bazë të informacioneve të siguruara nga Komisariati i Policisë Durrës, kanë mirorganizuar punën dhe si rezultat kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Baza”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

K. Xh., 32 vjeç dhe E. V., 33 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të dy banues në Durrës.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin marë me qira një banesë në lagjen nr.8, Durrës dhe e kishin përshtatur atë për përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri tip “Beretta”, municion luftarak, 2 peshore elektronike, një sasi prej 73.940 lekësh të rinj dhe 49 euro vlerë monetare e përfituar nga shitja e lëndës narkotike, 408 gramë

lëndë narkotike heroinë dhe 11.5 gramë

lëndë narkotike kokainë, të cilën këta shtetas e përgatisnin në doza të vogla, gati për shitje në qytetin e Durrësit.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 5.08.2021 09:32