Kryeministri bullgar thirrje Kovaçevskit: Bëhu i guximshëm dhe pranoje propozimin francez

“Sot, Parlamenti bullgar mori një vendim historik që i jep dritën jeshile propozimit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE,” shkroi në Twitter kryeministri bullgar Kirill Petkov.

BNG shkruan se në një intervistë për Politico, kryeministri i bëri thirrje homologut të tij maqedonas, Dimitër Kovaçevski, të jetë i guximshëm dhe të pranojë propozimin e presidencës franceze, megjithëse ekziston rreziku që qeveria të bjerë. Kirill Petkov deklaroi gjithashtu se vendimi i Presidencës Franceze, duhet pranuar si evropiane dhe jo vetëm si një marrëveshje ndërmjet Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Në fund të ditës e di së është shumë e vështirë politikisht. E di se rreziku për rrëzimin e Qeverisë është i madh. Si politikan duhet të marrësh vendim, cili është roli im? A është roli im stabilitet? Ose roli im është që të udhëheq kombin dhe të bëj një hap para. Mendoj se ky është vendimi, ndërsa Dimitar Kovaçevski duhet ta bëj këtë tani. Po të jem në vendin e tij nuk do të kisha menduar dy herë. Nëse hynë në histori me hapjen e dyerve të vendit për BE-në, mendoj se ky është rezultati më i mirë për një kryeministër”, tha Petkov.

Kuvendi në Bullgari votoi sot me 170 vota pro propozimin e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron për të arritur në një zgjidhje të ngërçit me veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Sipas propozimit francez, Maqedonia e Veriut duhet të pranojë në Kushtetutë se bullgarët janë një nga etnitë konstituive të vendit. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut tha të premten se tre tema kryesore kishin nevojë për sqarime përpara se të binte dakord për marrëveshjen./albeu.com