KRIMINALE/ AKU mbron prodhuesit e bulmetit që helmojnë qytetarët, bën PR e vetes dhe nuk nxjerr emrat

Shënim

AKU ka publikuar dje të dhënat mbi disa kontrolle të kryera gjatë periudhës maj-gusht në stabilimentet e prodhimit të bulmetit në të gjithë vendin duke raportuar se ka dërguar në prokurori katër raste ku janë konstatuar shkelje të rënda të standardeve higjeno-sanitare.

Në deklaratën për shtyp, AKU kujdeset që të bëjë mire marketingun e punës së tyre duke dhënë të gjitha detajet mbi paditë e bëra, sasinë e bulmetit jashtë standardeve të sekuestruar dhe të dhëna si këto, të cilat nuk vlejnë pa thënë në fakt se cilat janë katër kompanitë që prodhojnë qumësht, kos, gjalp, djath, etj., jashtë standardeve dhe që rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Shkurtimisht, AKU kujdeset që të bëjë PR e vetes dhe nuk merr përsipër t’i njoftojë qytetarët për katër kompanitë e prodhimit të bulmetit që rrezikojnë çdo ditë jetën e konsumatorëve me kalbësirat që hedhin në treg. Këtë nuk e themi ne, por e thotë vetë AKU që thekson se i ka çuar në prokurori katër kompani.

Në kushtet aktuale, ose AKU-së nuk i intereson shëndeti i qytetarëve dhe merret vetëm me statistikat duke i parë edhe fëmijët tanë si statistikë, ose kanë bërë marrëveshje të fshehta me prodhuesit e bulmetit që shteti bën sikur kontrollon dhe ata bëjnë sikur ruajnë standardet se rrugë të mesme nuk ka.

Ndryshe, cili është shkaku që AKU nuk thotë emrat e kompanive që ka kallëzuar në prokurori? /E.S-AlbEu.com