Teksa konflikti në Ukrainë vijon në muajin e tretë, rrugët për ndërmjetësim dhe gjetjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes palëve, që do t’i jepte fund luftës po vijojnë ende.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, ka zhvilluar një takim me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Në këtë takim, fokusi ka qenë në luftën në Ukrainë ku është theksuar se duhen bërë përpjekje të vazhdueshme diplomatike me Rusinë, për përfundimin e ofensivës.
Të dy liderët konfirmuan se qëllimi i tyre i përbashkët do të jetë për t’i dhënë fund vuajtjes së civilëve. Nga ana tjetër, Rusia nuk e konsideron armëpushimin si një opsion. Kështu ka deklaruar të paktën zëvendësambasadori i Moskës në OKB, i cili ka akuzuar më tej Kievin për mospërdorim të korridoreve humanitare të ofruara nga Rusia.
Sakaq, vlen të theksohet se lufta ka hyrë në një fazë të nxehtë të saj. Rusët janë vendosur kryesisht në Lindje të vendit dhe prej javësh po mbajnë të rrethuar qytetin e Mariupol. Një objektiv po ashtu është dhe rajoni Donbasit, e cila ishte dhe preteksti i nisjes së luftës.