Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se gjatë kësaj jave kishte kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që t’i shpallë “non grata” dy zyrtarë të Rusisë që kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.
Presidentja Osmani ka njoftuar se aktiviteti i tyre ” ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Osmani ka njoftuar se këtë vendim ministrja Donika Gërvalla e ka marrë sot dhe se në të njëjtën kohë ka njfotuar institucionet relevante për vendimin.
Njoftimi i plotë nga Presidentja e Kosovës:
Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së. Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse.
I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend./Express