Franca e mbylli pjesën e parë të ndeshjes së 1/16 së finales kundër Suedisë në epërsi 1-0, pasi Kylian Mbappe realizoi një gol të shkëlqyer pak çaste para përfundimit të fraksionit të parë.
Që në nisje të takimit, ritmi ishte i lartë dhe “Gjelat” morën menjëherë kontrollin, duke ndërtuar disa mundësi të mira për shënim.
Të lidhura
None found
Rasti i parë i madh për francezët u regjistrua në minutën e 19-të, kur Bradley Barcola depërtoi bukur në zonë, por tentativa e tij përfundoi mbi kuadrat.
Në minutën e 20-të, Mbappe mendoi se kishte zhbllokuar sfidën për Francën, por pas verifikimit nga VAR, goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje.
Sulmet e francezëve nuk u ndalën dhe në minutën e 30-të portieri suedez Jacob Widell Zetterstrom bëri një pritje vendimtare ndaj Adrien Rabiot, duke u shndërruar në një nga më të spikaturit në fushë.
Në minutën e 32-të, Mbappe goditi shtyllën, ndërsa një minutë më pas Rabiot provoi nga distanca, por topi kaloi pak mbi traversë.
Një tjetër moment i rrezikshëm erdhi në minutën e 36-të, kur Michael Olise iu afrua shumë golit, por tentativa e tij u ndal nga shtylla. Në vazhdim të të njëjtit aksion, Ousmane Dembele nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë.
Zetterstrom u shfaq sërish vendimtar në minutën e 45-të, kur ndali një tentativë të Olise, aksion pas të cilit Franca fitoi edhe një goditje nga këndi.
Megjithatë, po në minutën e 45-të, Mbappe gjeti më në fund golin me një realizim të bukur, duke bërë që Franca të shkonte në pushim me avantazhin 1-0.
